Home Ekonomi TVSH mbi biznesin e vogël/ Taksat për qytetarët do të rriten me...

TVSH mbi biznesin e vogël/ Taksat për qytetarët do të rriten me 150 mln usd në vit

0

Vendosja e tatimit mbi vlerën e shtuar tek biznesi i vogël do të sjellë një rritje të madhe taksash për qytetarët, e cila shkon në rreth 150 milionë dollarë në vit. Llogaritë dalin nga shifrat zyrtare, që publikojnë institucionet në varësi të qeverisë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, aktualisht Shqipëria ka rreth 80 mijë biznese të vogla, me xhiro nën 5 milionë lekë në vit. Këto ndërmarrje aktualisht janë të përjashtuara nga TVSH, por nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të paguajnë taksën ashtu si bizneset e tjera.

Por cili është efekti financiar i kësaj lëvizje?

Përfshirja në skemën e TVSH-së nënkupton se biznesi i vogël do të paguajë 20 për qind taksë mbi marzhin bruto, që ai realizon. Ky i fundit është diferenca mes çmimit me të cilin biznesi shet mallin me çmimin me të cilin ai e blen atë. Pra, e thënë ndryshe marzhi bruto përfshin brenda pagat, shpenzimet për qeranë, pagesën e taksave dhe fitimin neto të biznesit. Rrjedhimisht niveli prej 1 milionë lekësh në muaj është thuajse minimal për të përballuar këto shpenzime.

Nëse për 80 mijë biznese, të cilat nga 1 janari do të përfshihen në TVSH, llogaritet një marzh mesatar bruto prej 1 milionë lekë në vit, atëherë baza që do të taksohet me 20 për qind është 80 miliardë lekë ose 730 milionë dollarë në vit.

Kjo do të thotë se përmes kësaj lëvizje qeveria po rrit taksat me 146 milionë dollarë në vit, pra 730 mln dollarë x 20%. Përtej pretendimeve të qeverisë se vendosja e TVSH-së mbi biznesin e vogël nuk do të sjellë kosto shtesë, të dhënat zyrtare tregojnë se kjo është një nga rritjet më të larta të taksave, që është bërë në një vit të vetëm, e ngjashme me ato të viteve 2014-2015.

Por kush do ta paguajë këtë barrë?

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një taksë, e cila ngarkohet në çmimin e mallit. Ai që e paguan atë është gjithmonë qytetari, kur ble në treg. Kjo do të thotë se nga 1 Janari i vitit të ardhshëm, qytetarët do të paguajnë 150 milionë dollarë taksa shtesë nga xhepat e tyre, pavarësisht se qeveria deklaron se nuk do të ketë kosto shtesë.

© SYRI.net

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here