Home Opinion Pse po atakohet Universiteti i Tiranës?

Pse po atakohet Universiteti i Tiranës?

0

Nga Romeo Hanxhari*                                           

Në fillim të viteve ’90 në kushtet e mungesës së përvojës qeveria shqiptare shpalli “terapinë e shock-ut” ndaj ekonomisë publike shqiptare. Ajo terapi synonte zhdukjen e pronës publike dhe privatizimin e shpejtë. Ndërmarrjet shtetërore, edhe ato me prodhime cilësore, u paragjykuan si të panevojshme e atyre ua prenë financimet. Shoqëria shqiptare ishte e zënë me mbijetesën dhe nuk e kuptoi mirë se cfarë po ndodhte. Por, kur e pa nga largësia e disa viteve, pra jo më larg se vitet 2000, e kuptoi që kishte qëndruar indiferente ndaj një procesi të ekzagjeruar dhe me dëm për interesin publik. Por ishte vonë: dëmi ishte i parikthyeshëm. Se është e lehtë t’u vësh shqelmin aseteve publike, por duhet ta dish mirë se nëse i shkatërron nuk i krijon dot më.

E pra, kam bindjen se kjo që po nxjerr kokën tani ndaj Universitetit më të madh e më të vjetër publik në vend, Universitetit të Tiranës, është faza më e re e një lloj terapie shock-u të orientuar dhe të planifikuar, tashmë jo më në kushtet e mungesës së përvojës si ajo më sipër por në kushtet e ndërgjegjes së plotë. Kjo terapi shock-u synon në thelb nxirjen dhe fundosjen e këtij aseti të jashtëzakonshëm publik dhe nxitjen e privatizimit ekstrem në arsimin e lartë.

Për sqarim, unë si pedagog dhe drejtues i një njësie bazë të këtij Universiteti e kam pritur dhe e kam ndjekur reagimin e instancave drejtuese të Universitetit të Tiranës. Ato ndoshta kërkojnë të jenë konstruktive dhe jo-konfliktuale, dhe kështu reaguan me shumë maturi. Të gjithë ne pedagogët e këtij universiteti nuk i mbyllim dot sytë para padrejtësive të mëdha që na bëhen. Ne e kemi për nder që jemi pjesë e këtij Universiteti të madh, dhe e ndjejmë për detyrë edhe ta mbrojmë kur cënohet. Ne e njohim mirë arsimin e lartë në Shqipëri. Prandaj e ndjejmë veten të fyer, sepse e dimë që Universiteti ynë nuk është aspak ai që ka përshkruar Raporti i Akreditimit. E prandaj kemi guximin dhe avantazhin të mund t’i themi të vërtetat.

Së pari, pse kjo që po kulmon me manipulimin institucional dhe fryrjen e mllefit mediatik, mund të quhet thjesht faza e rradhës e terapisë së shock-ut ndaj arsimit të lartë publik?! Sepse prej disa vitesh shteti e ka braktisur dhe po e shtyn drejt humnerës universitetin publik, dhe në veçanti Universitetin e Tiranës si më të madhin syresh. Fakte? Mosfinancimi i mjaftueshëm dhe shkurtimi i vazhdueshëm i burimeve e kanë filluar herët këtë terapi të çrrënjosjes së asetit publik. Ka vite që shteti financon vetëm 10 muaj pagë për pedagogët dhe nuk financon kërkimin shkencor. Kishte vite që shteti nuk rriste pagat duke i mbajtur nën minimumin e minimumit të rajonit, deri sa bëri një rritje tepër modeste pak muaj para zgjedhjeve të rradhës. Ka 5 vjet që kur shteti ka eleminuar de facto shkollën doktorale në universitetet publike dhe në Universitetin e Tiranës, duke e privuar atë nga burime të rëndësishme njerëzore kërkimore, ndërkohë që këto burime janë orientuar me bollëk drejt një universiteti privat. Ka vite që shteti e ka hequr përfundimisht nga lista financimin e kampusit të planifikuar universitar. Ka 2 vjet që shteti, pasi hartoi Ligjin më armiqësor për arsimin e lartë publik, nuk nxjerr asnjë akt nënligjor të paktën për ta zbatuar në terren atë Ligj të keq, duke ua pamundësuar ashtu universiteteve publike realizimin e disa detyrimeve për të cilat pastaj vetë shteti u kërkon llogari në kuadër të akreditimit. Këto e shumë të tjera janë indikatorë që fatkeqësisht tregojnë tendencë.

Së dyti, pse ekziston kjo lloj tendence ndaj universiteteve publike, por sidomos ndaj Universitetit të Tiranës? Unë kam bindjen se kjo ndodh thjesht ngaqë ky Universitet ua shkel fort kallot disa aktorëve të rëndësishëm. Më së pari disa pronarëve të universiteteve private. Kjo thjesht sepse UT ka qenë, është, dhe do të jetë magneti më i fuqishëm i maturantëve të shkëlqyer si edhe formuesi më i mirënjohur i profesionistëve në fushat përkatëse në këtë vend. Më tej UT i shkel në kallo pushtetit. Kjo thjesht sepse UT është një agorà lirie, një mjedis publik i lirë pra, ku pedagogët dhe qëndrimet e tyre publike nuk kontrollohen dot. Ndryshe nga sa ndodh me universitetet private ku në përgjithësi pedagogu nuk mund të adoptojë publikisht asnjë qëndrim që shkon ndesh me qëndrimin politik apo publik të pronarit apo administratorit. Dhe ndryshe nga sa ndodh fatkeqësisht edhe në universitetet publike të rretheve. Duke qenë të vogla, ndikimi i drejtuesit kryesor, përkatësisht rektorit apo dekanit, është mjaftueshmërisht aq i fortë saqë ato universitete konsiderohen si “të menaxhueshme” apo “të kontrollueshme” nga pushteti në një mënyrë apo në një tjetër.

Ndërsa në një Universitet të madh publik si ai i Tiranës dora e pushtetit ose nuk mbërrin dot ose e ka ekstremisht të vështirë të kontrollojë. Ka disa arsye objektive por edhe fakte që e provojnë këtë. Së pari një fakt. Pedagogët e UT janë ata me qëndrime publike më të artikuluara se gjithë të tjerët për shumë çështje me interes publik. Kështu, cilët më shumë se pedagogët e UT e kanë zhvilluar debatin kundërshtues ndaj Ligjit për Arsimin e Lartë? Së dyti, liria është avantazhi i një institucioni universitar me numër shumë të lartë të personelit cilësor akademik (mbi 800 syresh) dhe me numër të madh studentësh cilësorë (gjithsej mbi 23 mijë). Bashkuar kjo rrethanë edhe me statusin e mbrojtur të pedagogut në Universitetin publik, na japin si rezultante në përgjithësi një pedagog e student me qëndrime krejt të lira e të pandikuara. Nuk ka absolutisht asnjë institucion të dytë edhe në nivel Republike që të garantojë këtë lloj lirie më shumë se sa një universitet i madh publik si ai i Tiranës. Së treti sepse, edhe pse jo perfekte, zgjedhjet në Universitetin e Tiranës janë zhvilluar në kushtet e konkurrencës së fortë e cila imponon nga ana e saj edhe liri respektive dhe përgjegjshmëri të organeve drejtuese. Së katërti, Universiteti i Tiranës (pas atij të Mjekësisë) përthith maturantët më të mirë të Shqipërisë, të cilët më pas formohen aty si studentë të lirë në mjedisin më të lirë akademik në vend. Kujtojmë këtu protestën dhe reagimin e guximshëm qytetar të studentëve të Universitetit të Tiranës deri edhe ndaj vetë Kryeministrit dhe Ministres së Arsimit. Pavarësisht nëse jemi apo jo dakord me formën e protestës, të gjitha jemi dakord me faktin që këto akte të jashtëzakonshme lirie mund t’i demonstronin vetëm studentët e lirë të pedagogëve të lirë të një Universiteti të lirë. Kush ka shembuj të së kundërtës le t’i japë.

E pra, këto janë shkaqe të mjaftueshme për të çliruar ndaj këtij universiteti një energji të madhe negative e cila kur bashkohet me fuqi vendimmarrëse të pushtetit dhe me trafik influence të konkurrentëve privatë, merr trajtat e terapisë së shock-ut si strategji e mirëmenduar.

E meqë vetë pushteti e ka shtyrë vazhdimisht Universitein e Tiranës drejt greminës, kjo ka inkurajuar agjensinë publike të akreditimit bashkë me aktorët e universiteteve private, që t’i japin shtyrjen e fundit. Faza e fundit e kësaj terapie shock-u është i sipërcituari Raport i Akreditimit, një raport tendencioz, i ekzagjeruar, dhe i hartuar deri edhe në kushte të konfliktit të interesit. Pyetja e logjikshme mund të ishte se çfarë përfitimi do të kishte pushteti nga nxitja apo favorizimi i hartimit të një Raport “diskretitues” për UT. Me shumë gjasa pushteti synon të delegjtimojë këtë zë të fortë të lirë që është zëri i pedagogëve dhe studentëve të UT, duke nënkuptuar “dëgjoni kush flet, këta që dolën aq dobët, pra c’vlerë ka fjala e tyre”. Pra, manipulimi dhe keqinformimi që këta më sipër u kanë bërë të ashtuquajturve “britanikë të akreditimit” ia paska vlejtur. Universiteti i Tiranës si zëri i lirisë dhe i reagimit shoqëror nuk ekziston më, u delegjitimua, u zhyt në hallin e mbijetesës. Ndërsa konkurrentët e UT përfitojnë nga “fama e keqe” e konkurrentit më të fortë.

Së treti pra, le të shohim se pse mund të thuhet se Raporti i Akreditimit është tendencioz ndaj Universitetit të Tiranës, dhe pse themi që ai synon thjesht delegjitimimin e këtij institucioni si lider në arsimin publik?! Ja disa fakte që dalin nga Raporti vetë dhe nga rrethanat në të cilat ai është hartuar.

Së pari, ekipi i akreditimit nuk është britanik por shqiptaro- britanik. Konkretisht, nga 5 fusha të marra në shqyrtim, 2 syresh janë vlerësuar totalisht nga ekspertë shqiptarë dhe jo nga ata britanikë. Britanikët e kanë udhëhequr “de jure” procesin, por “de facto” ata e kanë patur të pamundur njohjen e plotë të situatës. Britanikët e kanë patur të pamundur të punojnë pa ndihmën e ASCAL, me persona për të përkthyer, për të mbajtur shënime nëpër takime, e për të interpretuar dokumentacionin apo argumentat. Kjo shkruhet në fillim të raportit.

Së dyti, metodologjia e vlerësimit nga “ekipi britanik” ka qenë e ndryshme për universitete të ndryshme, pra disa janë matur me metër e disa qenkan matur me sy. Madje ajo metodologji që është përdorur për UT, as është aprovuar fare as në vetë Bordin e Akreditimit.

Së treti, ekspertët shqiptarë por edhe ndonjë “britanik” syresh paskan qenë aq “të zot” e aq “të paanshëm” në proces saqë përpara disa vitesh paskan dhënë vlerësime pozitive dhe kanë akredituar universitete cilësore si “Kristal” apo “Vitrinat”.

Së katërti, raporti është hartuar në kushtet e konfliktit të interesit dhe në kushtet e mllefeve personale, për sa kohë që përfaqësues të ASCAL apo edhe ekspertë të Bordit të Akreditimit ose janë staf i universiteteve private ose nuk ia kanë dalë të bëhen staf i Universitetit të Tiranës. Unë vetë kam qenë pjesë e përfaqësisë së gjerë të Universitetit që u takua me këtë komision dhe më ka lënë pa fjalë arroganca dhe cinizmi në komunikim i ndonjërit nga anëtarët shqiptarë të tij.

Së pesti, si është e mundur që Universitetit të Tiranës nuk iu njoh asnjë “pikë e fortë” ndërkohë që të tilla u janë njohur edhe universiteteve më të dobëta të këtij vendi?! Asnjë pikë e fortë për Universitetin e Tiranës?! Asnjë për be’, nga 16 që janë analizuar?!

Së gjashti, aq hapur është tendencioziteti sa që, për të bërë vetëm një shembull, për kriterin “Statuti të jetë në përputhje me ligjin dhe me misionin e Universitetit”, vlerësimi është negativ, me sebepin absurd se “në statut nuk shkruhet shprehimisht se cili është misioni i Universitetit”.

Së fundi, edhe aritmetikisht vlerësimi është i çuditshëm. Ja pse. Raporti jep vlerësim me 4 shkallë duke i dhënë përgjigje pyetjes “sa i përmbush kriteret shtetërore Universiteti?”. Shkallët e vlerësimit janë: aspak, pjesërisht, thelbësisht dhe plotësisht. Nëse për lehtësi studimi i konvertojmë këto 4 shkallë në 4 nota (nga 4 tek 10-a) mund të themi që vlerësimi ka notat 4 (aspak), 5 apo 6 (pjesërisht), 7 ose 8 (thelbësisht), dhe 10 (plotësisht). Atëherë shikoni: nga 5 fusha që janë vlerësuar, 2 syresh kanë marrë notën 6 (pjesërisht) dhe 3 syresh kanë marrë notën 8 (thelbësisht). Pra, Universiteti i bie që ka marrë tre 8-a dhe dy 6-a. Por ama nota mbizotëruese e Raportit paska dalë 6 dhe jo 8! Pra, 2 fusha kanë marrë peshë specifike më të madhe se sa 3 fusha. Pse? Sepse është synuar thjesht poshtërimi i këtij institucioni.

Këto janë për mendimin tim arsyeja, motivimi, përfitimi, dhe “faktet” e pushtetit dhe të konkurrencës ndaj universitetit të Tiranës. Është e qartë pra se përfundimet e shtrembëruara të “akreditimit”, përtej pikave të drejta të evidentimit që ne i njohim edhe vetë, në thelb synojnë prishjen e imazhit të Universitetit të Tiranës, dekurajimin e guximit shoqëror të pedagogëve të tij, çmagnetizimin e këtij magneti të fuqishëm të maturantëve të shkëlqyer të këtij vendi dhe në fund të ditës ndoshta privatizmin e tij nëpërmjet ndonjë partneriteti PPP.

Por, kam bindjen se shoqëria shqiptare në radhë të parë do të reagojë në kohë dhe nuk do ta pranojë që aseti më i madh i arsimit të vet publik të mbytet me terapi shock-u nga pushteti, oligarkët dhe servilët e tyre. Po ashtu jam i bindur se, ashtu siç nuk ra niveli cilësor i studentëve që kërkuan të studiojnë në këtë universitet për vitin akademik në vijim, ashtu edhe nuk do të bjerë as niveli shkencor dhe as kurajoja qytetare e kolegëve të mi pedagogë të këtij Universiteti. Më tej, kam ndjesinë e fortë se kjo që ndodhi vetëm sa e ka ndërgjegjësuar edhe më fort këtë komunitet të madh të Universitetit të Tiranës lidhur me vlerën dhe potencialin që përfaqëson në shoqërinë tonë. Dhe së fundi, e sigurt është se Universiteti i Tiranës do ta shkundë me forcë këtë baltë që ia kanë hedhur me cinizëm, dhe do të ndihet në shoqërinë shqiptare ashtu sic në fakt është, një kolos cilësie i arsimit tonë publik universitar. /lapsi.al/

*Prof. Dr. Romeo Hanxhari, është shefi i Departamentit të Gjeografisë në Universitetin e Tiranës

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here