Home Politike Plani rezervë i opozitës për bllokimin e zgjedhjeve ditën e 18 qershorit

Plani rezervë i opozitës për bllokimin e zgjedhjeve ditën e 18 qershorit

0

A e dijnë Meta-Rama se plani i opozitës, nëse nuk ka qeveri teknike, do jetë që ditën e votimeve me 18 qershor do ngrejnë popullin opozitar për të bllokuar çdo qendër votimi? 

Në pesë ditët e fundit, që nga nisja e protestave të Partisë Demokratike, është pritur me interes qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kreut të saj, Ilir Meta. Në dy komunikime me mediat gjatë ditës së djeshme, kreu i Kuvendit dhe LSI ka dhënë mesazhe të qarta. Ai ka kërkuar që vëmendja e politikës të fokusohet në dy çështje kryesore; reforma në drejtësi dhe procesi i zgjedhjeve të 18 qershorit. Brenda këtyre dy reformave gjendet dhe përgjigja për shqetësimet e shprehura nga Partia Demokratike.

Së pari çështja e zgjedhjeve, e cila është një pikë që ka nxjerrë opozitën në rrugë. Meta, ashtu si PD, shpreh shqetësimin për standardet e zgjedhjeve, por ndahen në mënyrën sesi garantohet procesi zgjedhor. PD e sheh çështjen e standardit të zgjedhjeve te largimi i qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie teknike. Ndërsa në qëndrimet e kreut të LSI-së garantimi i standardeve zgjedhore arrihet me anë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe dialogut. Dhe kur flet për dialog, Ilir Meta nënkupton se dialogu zhvillohet në Kuvend. Por e la dhe një shteg hapur; rëndësi ka të bëhet dialogu duke mos qenë strikt vetëm në parlament. Në prononcimin me gazetarët, Meta u shpreh se personalisht vlerësonte se parlamenti pa opozitë nuk ka kuptim. “Ju e dini që për mua parlamenti pa opozitën nuk ka kuptim. Kështu që do të bëjmë të gjitha përpjekjet në mënyrë që kjo klimë të përmirësohet dhe të rritet besimi i shqiptarëve në radhë të parë tek zgjedhjet, por edhe të përmirësohet klima tani ku jemi në një moment mjaft të rëndësishëm të ecjes përpara të reformës në drejtësi”,- tha kreu i Kuvendit dhe LSI. Me këtë togfjaleshin “Ju e dini që për mua parlamenti pa opozitën nuk ka kuptim” ai i ka lëshuar sinjal të hapur kryeministrit Rama, pra që ti thërrasë mendjes se pa opozitën nuk kemi ku shkojmë si mazhorancë.

Meta ka shtuar se tensionimi i klimës politike nuk i shërben interesit të vendit. “Parlamenti në radhë të parë është i opozitës, sepse mazhoranca ka edhe qeverinë. Kështu që opozita parlamentin ka. Dhe është gjithnjë e mirëpritur në mënyrë që të çojë përpara kërkesat e saj për standarde me të lart për zgjedhjet e 18 qershorit”,- u shpreh kreu i LSI, Ilir Meta. Sërish lidhur me zgjedhjet, Meta tha se ka një komision të reformës zgjedhore i cili është endë në funksion dhe duhet t’u japë përgjigje të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë më problemet elektorale.

Fakti që ai përmendi fort se pa “zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka as stabilitet, dhe as hapje të negociatave me BE” tregon rëndësinë që kreu i Kuvendit i jep kërkesave të opozitës për të shkuar në zgjedhje.

Pika e dytë ku Meta ka kërkuar që palët të fokusohen është reforma në drejtësi. Në proces është zgjedhja e drejtuesve të institucioneve dhe miratimi i disa ligjeve që janë pjesë e paketës së reformës. Meta tha se reforma në drejtësi ishte dhe çështja kryesore që është disktuar në darkën shumë të komentuar mes tij dhe Edi Ramës mbrëmjen e së mërkurës. Duke folur për reformën në drejtësi, Meta ka shtuar se veç zbatimit të Kushtetutës dhe ligjeve duhet zbatuar dhe një element shtesë; transparenca e procesit dhe emërimeve.

Në gjithë qëndrimet e djeshme të Kreut të Kuvendit, çështja e qeverisë teknike apo negociatave për diçka të tillë mes mazhorancës dhe opozitës, nuk është komentuar. Në vend të këtyre negociatave, Meta ka pranuar të flasë vetëm për negociatat mes Shqipërisë dhe BE për anëtarësimin. Negociata, që siç tha kreu i Kuvendit,varen nga zbatimi i reformës në drejtësi dhe standardet e zgjedhjeve.

Por zgjedhjet quhen të lira dhe të ndershme kur futet edhe opozita, si dhe kur pranohen nga palët. Ndërkohë në sheshin para kryeministrisë Lulzim Basha deklaroi mbrëmë vonë se “ nuk ka zgjedhje pa qeveri teknike”. E përsëriti disa herë dhe prerë.

Atëhere pyetja është: A po mendojnë Meta dhe Rama se si do të futet në zgjedhje opozita? Apo ecin me mendimin se BE dhe SHBA ua njeh zgjedhjet edhe pa opoztën?! A e dijnë dyshja Meta-Rama se opozita nuk futet në mënyrë të vendosur në zgjedhje me 18 qershor dhe se, ndonëse nuk do futen, por nuk do të lejojnë të zhvillohen zgjedhje? A e dijnë se plani i opozitës, nëse nuk ka qeveri teknike, do jetë që ditën e votimeve me 18 qershor do ngrejnë popullin opozitar për të bllokuar çdo qendër votimi? A e dijnë dyshja Meta-Rama se kjo do jetë si një luftë civile dhe është e tmerrshme se si nuk po gjejnë zgjidhje me opozitën?

A e dijnë të dy se ditën e 18 qershorit mund të ketë ngjarje shumë të pakëndshme në qendrat e votimit?

Ndaj thirreni arësyes të gjitha palët politike,sepse e pëson populli!

S.P.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here