Home Editorial Gënjen qeveria? Rrëzojeni urgjent!

Gënjen qeveria? Rrëzojeni urgjent!

0

Ambasadori amerikan Donald Lu ka bërë dje një deklaratë jo të zakontë për politikën dhe qeverinë shqiptare. Nga qyteti i Rrëshenit, në një takim me të rinjtë, diplomati i SHBA tha as më shumë se as më pak se: “…Nëse ju kërkoni dhe qeveria nuk u përgjigjet, atëherë ju e rrëzoni atë!”. Deklarata u bë pa praninë e kamerave në takimin me të rinjtë, por zyra e shtypit të Ambasadës u kujdes që mesazhi të mbërrinte në kohë në redaksitë e medias, gjatë orëve të paradites së djeshme. Bile burimet tregojnë se ishin shumë të interesuar të dilte sa më shpejt dhe më në vend qëndror ky lajm.

Mesazhi ishte direkt për qeverinë Rama, sepse dhe shembujt që solli në fjalimin e tij ambasadori i referohen ngjarjeve konkrete të ditëve të fundit. Donald Lu përmendi mungesën e librave në shkolla dhe radhët e gjata deri në mesnatë të prindërve për librat e fëmijëve. Ai tha se është e papranueshme që qeveria të thotë se nuk ka para për libra, ndërkohë që shpenzohen për makina luksoze dhe udhëtimet e qeveritarëve. “Shqipëria është një vend i vogël. Nuk është një vend i pasur. Por është e arsyeshme që qytetarët të kërkojnë që qeveria të sigurojë para për të blerë libra për studentët e saj. Dhe kur qeveria ju tregon se nuk mund ta përballojë atë, ju duhet të pyesni se si ata janë duke paguar për ndërtesat e tyre qeveritare, makinat e tyre luksoze dhe udhëtimet e tyre”,- tha Ambasadori Lu. Më shkoqur nuk ka se kaq nga ambasadori Lu. Është si të duash ti shkundësh njerëzit e lodhur nga gënjështrat e qeverisë.

Pas shprehjes për “rrëzimin e qeverisë”, deklarata për shpenzimet luksoze është mesazhi i dytë i fortë që brenda një dite ambasadori i SHBA ka dërguar për qeverinë e re në Tiranë. Në këto vite qeveria “Rama” është akuzuar shpesh për shpërdorim pa kriter të fondeve në fasada dhe investime të kota, si ai palmave në autostradën Tiranë-Durrës apo zbukurimin e shesheve të qytetëve, ndërkohë që milionat e eurove nuk dihet se ku kanë shkuar. Ndërkohë që shpenzime e luksit janë shtuar, sivjet numri i familjeve në nevojë që përfituan ulje të çmimit të librave për fëmijët ishte më i vogël.

Deklarata ka shkaktuar jo pak shqetësim në radhët e mazhorancës së re. Kryeministri Edi Rama dhe deputetët e PS-s, gjatë fushatës elektorale por edhe më pas, e kanë cilësuar si një nga pikat më të forta të qeverisjes, mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Edi Rama, në fjalimin e gjatë që mbajti të enjten në Kuvend, tha se për të nuk ka asnjë problem se çfarë deklaron opozita, përsa kohë që partnerët ndërkombëtarë strategjikë (nënkupto SHBA) i kanë dhënë mbështetje qeverisë dhe reformave të tij.

Ndaj deklarata e bërë dje nga Ambasadori i SHBA duket se ka qenë si një “rrufe” në qiellin e pastër. Kjo duket edhe nga fakti se mesazhi i ambasadorit, i shpërndarë në mënyrë të posaçme nga Ambasada e SHBA, në disa media shumë afër qeverisë thuajse nuk ekzistonte. Në disa të tjera, vetëm gjatë orëve të mbrëmjes raportohej për një takim të ambasadorit me disa të rinjë në Rrëshen. Pra një censurë qeveritare në media që lajmi dhe thëniet e ambasadorit Lu të mos zinin kokën e lajmeve.

Në fakt, mesazhi i diplomatit më të rëndësishëm në Shqipëri nuk u drejtohej vetëm të rinjve. Ishte një apel që shkon për të gjithë qytetarët shqiptarë, teksa u kujtonte gjëra elementare që duhet t’ja kërkojnë qeverisë.

Ajo çfarë e bënë edhe më të rëndësishëm këtë mesazh lidhet me kohën kur vjen. Ambasadori Donald Lu është i njohur për qëndrimet e forta që ka mbajtur për reformën në drejtësi. Para dhe pas zgjedhjeve, për shkak edhe të fushatës elektorale Donald Lu ka pasur pak komunikime publike. Pas nisjes nga puna të qeverisë së re dhe daljes së raportit përfundimtar të zgjedhjeve nga ana e OSBE-ODIHR, ambasadori ka vendosur të nis turin publik të takimit më të rinjtë. Qëndrimi i parë publik çon disa mesazhe të koduara për qeverinë “Rama 2” dhe krijonë idenë e një situate tjetër nga ajo që pretendojnë socialistët për raportet speciale me partnerët strategjikë.

SHBA nuk fal kur investon në demokraci dhe në zbatimin e ligjit në një vend. Ka patur raste që tashmë njihen si ai i Berishës në vitin 1996 kur u vodhën zgjedhjet dhe e rrëzuan pas një viti. Apo Fatos Nano që e palosën si kryeministër vetëm se korrupsioni ishte shkatërrues në vitin 2005. Ndaj mesazhi i Donald Lu nuk është mesazh Tirane, por vjen direkt nga Departamenti i Shtetit.

Mesazhin që donte të jepte e dha ambasadori Lu. Me sa duket kanë informacione se Rama dhe Basha po pengojnë zbatimin e reformës në drejtësi. Sidomos qeveria. Këtu nuk falin amerikanët. Kush iu futet në këtë autostradë drejtësie e shkatërrojnë.

A.M.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here