Home Editorial Filozofia e sundimit të pakicës

Filozofia e sundimit të pakicës

0

Nga Veton Surroi/

Kosova, pas tridhjetë vjetësh, sërish kthehet tek varësia ndaj presidentit serb

 1

Rrëfimi i shkurtër dhe i thjeshtë i verës politike të vitit 2017 është sikur rrëfimi i shkurtër dhe i thjeshtë i verës politike të vitit 2014 dhe i rrëfimeve të stinëve të tjera politike më herët. “E kemi kandidatin, por nuk i kemi numrat”, rrëfeu përafërsisht shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Enver Hoxhaj, në mbledhjen e kaluar të Kuvendit të Kosovës, duke përshkruar me këtë fjali tërë potencialin filozofik të lëvizjes politike, pjesë e së cilës është. Në demokracitë parlamentare fjalia e Enver Hoxhajt do të pasohej me një fjali tjetër shtesë, diçka si “Prandaj, propozojmë që grupet politike në Kuvend që e kanë shumicën ta japin kandidatin e tyre dhe të procedojmë tutje”. Me këtë fjali shtesë Enver Hoxhaj dhe lëvizja politike, pjesë e së cilës është, do të pranonin parimin parësor të demokracisë, sundimin e shumicës.

Por, deklarimi i PDK-së u ndal në sinqeritetin e asaj fjalie dhe filozofisë politike të ngërthyer në të. Pra, në të kuptuarit e Hoxhajt dhe lëvizjes së tij, jeta politike në Kosovë kalon nëpër një ritual të thjeshtë zgjedhor: çfarëdo që të jetë vota e qytetarëve, institucionet duhet të paralizohen derisa PDK-ja të kalojë prej pozitës së pakicës numerike në atë të shumicës.

Në këtë formë institucionalizohet njëri prej parimeve bazë të lëvizjeve antidemokratike, sundimi i pakicës. Dhe ky është një problem me të cilin Kosova ballafaqohet prej rënies së Murit të Berlinit, kur me shembjen e komunizmit Milosheviqi kuptoi se po të organizoheshin zgjedhje të lira e demokratike në Kosovë shqiptarët do ta fitonin shumicën, andaj zgjodhi të suspendojë Kuvendin, pra mundësinë që fare të garohet për të; rrjedhimisht, suspendoi me dhunë tërë autonominë.

2.

Në kontekstin e sotëm, të Kosovës së çliruar, nuk ka nevojë për instrumente kaq drastike për suspendimin e vullnetit të shumicës, sikur në kohën e Milosheviqit. Mjafton kapja e institucioneve të shtetit dhe përdorimi i tyre për nevojat e Partisë, sikur qe rasti me Gjykatën Kushtetuese dhe interpretimin e tyre të procedurës së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit e të formimit të Qeverisë.

Dhe, thelbi i filozofisë së kapjes së shtetit mund të kuptohet me ato që u bënë të njohura si përgjimet e klanit “Pronto”. Në to dëgjohet se si shefi i Grupit parlamentar të PDK-së sistemon militantët partiakë në vende pune dhe borde të ndërmarrjeve publike, duke suspenduar barazinë qytetare, të drejtën që vendi i punës të jetë i hapur për garë. Sundimi i pakicës është lehtë i kuptueshëm edhe këtu. Meqë sundimi i pakicës do të thotë shpërfillje apo suspendim të garës konkurrente e të rezultateve të saj në nivel të Parlamentit, e njëjta pakicë që sundon suspendon të drejtën e garës për vendin e punës. Është, rrjedhimisht, fare pa relevancë aftësia dhe arsimimi i qytetarit, është krejtësisht relevante përkatësia e tij partiake.

Sundimi i pakicës kështu deformon tërë strukturën shtetërore: një shoqëri që nuk ka nevojë për konkurrencë në punësim, nuk ka nevojë për konkurrencë në arsim, nuk ka nevojë pra as për fëmijë që do të kuptojnë atë që lexojnë. Rezultati i PISA-s është produkt i drejtpërdrejtë i kapjes së shtetit nga pakica, e cila në rastin tonë ka qëlluar të ketë intensitet të ulët të intelektit, por jashtëzakonisht të lartë të zhdërvjelltësisë dhe agresivitetit.

3.

Dr. Blerim Latifi, një profesor i filozofisë që njihet si këshilltar i ish- kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, shpjegimin tim të bërë deri tani do ta quajë teori, madje “teori me defekt të madh filozofik. Ajo në thelbin e saj është raciste.

Teza themelore e saj është se kapjen e shtetit duhet ta shpjegojmë me karakterin krimogjen të njerëzve të PDK-së dhe elektoratit të saj. Kushdo që, sadopak, ka njohuri elementare të aparatit shpjegues të shkencave sociale e kupton se kjo teori jo që nuk ka asnjë vlerë shpjeguese, por, për më tepër, është e veshur edhe me ngjyrime fashiste dhe kjo bëhet edhe më e rëndë kur mungon vetëdija për këto ngjyrime. Umberto Eco e thoshte se fashisti më i dëmshëm është ai i cili nuk e di se është fashist”.

Ndonëse kam qenë bukur i saktë në adresimin e përgjegjësisë së klanit “Pronto” në kapjen e shtetit – sa për ilustrim, prej kontrollit të pompave të benzinës së Kosovapetrollit e deri te mbajtja e Shërbimit Sekret (SHIK) – madje edhe përgjithësimi për tërë PDK-në si kromogjene, vështirë se do të më cilësonte si racist, apo mua si përfaqësues të një “teorie në thelbin e saj raciste”. Arsyeja është e thjeshtë: PDK-ja nuk është racë. Antropologjikisht, anëtari i PDK-së është i racës së njëjtë si ai i LDK-së e VV-së, madje i partisë së Vuçiqit e të Merkelit dhe të kryetarit të Gjeorgjisë e Ukrainës.

E, se si do të hyjë Umberto Eco në këtë rrëfim mbetet një mister.

Sepse është e mistershme për dikë që e quan veten filozof (apo profesor të filozofisë), që ka shkruar një libër me titull “Metafizika e emancipimit”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, e të operojë me aparaturë të tillë shkencore, pra ta quajë racizëm e fashizëm përshkrimin e përpjekjes së suksesshme të PDK-së për instalimin e sundimit të pakicës dhe kulturës së sundimit të pakicës. Apo nuk është e mistershme? Ndoshta kultura e sundimit të pakicës, filozofia e saj, të mundëson të jesh profesor universiteti, këshilltar dhe i padijshëm për natyrën e racave njerëzore.

4.

Marrëveshja PAN-AKR për formimin e Qeverisë së Kosovës më 2017 është pjesë e rrëfimit të shkurtër për sundimin e pakicës. Një grumbull partish të koalicionit PAN dhe AKR përbëjnë sot pakicën numerike shqiptare. Për t’u bërë shumicë atyre u nevojiten votat e deputetëve minoritarë (që ndihen si qytetarë të Republikës së Kosovës) dhe votat e deputetëve të Listës Serbe (që ndihen si qytetarë e mbrojtës të interesave të Republikës së Serbisë). Nëse formohet një qeveri nga kjo marrëveshje, ajo mezi do të kalojë numrin mbështetës prej 61 deputetësh dhe do të përbëhet prej dy lloj pakicash, të shqiptarëve dhe atë të serbëve. Që të dyja pakicat nuk e kanë fshehur dëshirën dhe përpjekjen për t’u bërë shumicë. Ajo shqiptare (e përfaqësuar në vazhdimësi nga PDK-ja) ka arritur me sukses e shantazh ta bëjë të veten e të qeverisë. Ajo serbe (e përfaqësuar nga Lista serbe) ka arritur me sukses që të integrojë Beogradin në qeverisje me Kosovën.

Tash është një sfidë e veçantë për qeverisjen e pakicave. Lista serbe do ta ketë në dorë fatin e Qeverisë së Kosovës; çfarëdo që mos t’i pëlqejë e paralizon apo rrëzon Qeverinë. Prej çlirimit të Kosovës, kur filloi sundimi i shumicës në Kosovë, institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë bërë regresion, deri në pikën e nesërme, ku fati institucional do të varet nga vullneti i presidentit të Serbisë.

Kjo mund të jetë një pikë kthese. Kosova edhe një herë tjetër është varur nga vullneti i presidentit të Serbisë. Pasi që më 1968 u instalua sundimi i shumicës shqiptare në institucionet e Kosovës, Serbia u përpoq për tridhjetë vjet me radhë që të krijojë gjendjen ku pakica serbe do të kthehej e të sundonte, apo së paku të kishte zërin vendimtar. Pasi që lëshoi pe vite me radhë, shumica shqiptare arriti në pikën ku serbët e Kosovës dolën haptas të jenë mbrojtës të interesave të Beogradit e ia dhanë mandatin presidentit Milosheviq.

Dhe zullumi u këput, aty, prej së trashi.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here