Home Opinion A do t’i kthejë krahët NATO-s Gjermania?

A do t’i kthejë krahët NATO-s Gjermania?

0

Një libër i ri përshkruan një riorientim në politikën e sigurisë të Gjermanisë duke u larguar nga NATO-ja dhe duke u drejtuar tek BE-ja. Por autori thotë se mungojnë parakushtet e nevojshme. Ekspertë të rëndësishëm të sigurisë në Gjermani nuk e shikojnë më SHBA-në si aleaten më të rëndësishme dhe mendojnë që Berlini duhet të përqendrohet në çështjet e mbrojtjes më tepër te BE-ja në vend të NATO-s. Ky është rezultati i një anketimi të 200 ekspertëve të mbrojtjes nga radhët e politikës, sipërmarrjeve, organizatave ndërkombëtare dhe medieve, të cilat i ka publikuar Qendra Kërkimore e Brukselit “Friends of Europe” së bashku me një libër. Në të pohohet se vendi më i fuqishëm ekonomikisht i Evropës, në çështjet e mbrojtjes ka jetuar deri tani me shpenzimet e partnerëve të tjerë dhe tani duhet të bëjë më tepër për mbrojtjen e vet.

Autori i studimit, gazetari Paul Taylor, mendon se bota e Angela Merkelit ka ndryshuar në vitet e fundit në atë masë sa nuk njihet më, dhe tani duhet të ndryshojë vetë kancelarja. “Dy goditje të rënda në formë shoku e nxorën Merkelin nga një lloj gjendje vetëkënaqësie në politikën e mbrojtjes, po në të njëjtën mënyrë ato tronditën Gjermaninë në pozicionin e saj të rehatshëm në mes të Evropës, të rrethuar nga aleatë të NATO-s dhe partnerë të BE”, thotë Taylor për DW. Këto dy goditje në formë shoku qenë aneksimi prej Rusisë i Krimesë në vitin 2014 dhe kriza e refugjatëve e vitit 2015.

Bundeswehrsoldat steht im Wartezentrum Asyl in Erding vor Flüchtlingen (picture-alliance/dpa/A. Weigel)

“Merkeli mori me këtë rast vendime, që rrezikuan karrierën e saj politike, por edhe që ndryshuan vështrimin e saj ndaj Evropës”. Taylor pohon se Merkeli kishte porositur dhe i kishin përgatitur harta me një zonë Shengeni të shenjuar me ngjyrë, kështu që për secilin binte menjëherë në sy, që “kufijtë” e Gjermanisë në të vërtetë janë ato me Rusinë dhe Ukrainën, me Afrikën e Veriut dhe me Lindjen e Afërt dhe të Mesme

Pa investuar më shumë para nuk bëhet

Taylor-i thotë se Merkeli vuri re që ushtria gjermane, Bundeswehri, përmes shkurtimeve me vite të tëra të buxhetit, është dobësuar. Në vitin 2016, sipas Taylorit, ajo nisi një kthesë. Megjithatë, sipas tij do të zgjasë shumë, rreth 15 vjet, për ta sjellë aviacionin për shembull në nivelin e duhur. Taylori beson se problemi nuk janë paratë, por mentaliteti. “Hija e historisë ua vështirëson punën shumë gjermanëve, por njëkohësisht ua rehaton.”

Merkeli ka lënë të kuptohet se mund të ketë një ndryshim kursi. Fjalia e saj e famshme “Ne evropianët duhet ta marrim vërtet fatin në duart tona” kishte lidhje me deklaratat me dy kuptime të Donald Trumpit për mbrojtjen kolektive të NATO-s, të cilët ai duket se po e vinte në dyshim.

Deutschland Berlin Bundesverteidigungsministerium (Imago/C. Thiel)

Ulricke Francke nga Qendra Kërkimore European Council on Foreign Relations mendon që presioni nga Uashingtoni nxit një orientim të ri në politikën e sigurisë të Gjermanisë: drejt BE. “Qeveria Trump e minon gatishmërinë në rritje në popullin gjerman për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen dhe për t’u angazhuar më shumë”, thotë Francke, “sepse Trumpi konsiderohet si luftënxitës dhe gjermanët janë të shqetësuar se SHBA nën Trumpin mund të nisin një luftë dhe NATO-ja të tërhiqte në të edhe Gjermaninë”.

BE-ja si rrugëdalje?

Taylor mendon se gjërat në Gjermani duhet të ndryshojnë rrënjësisht. Ai për shembull propozon që Bundestagu t’i aprovojë paraprakisht në bllok misione të caktuara të Bundeswehrit në NATO dhe në një njësi të tjera multinacionale, në vend që të veprojë si tani për çdo mision të veçantë. Taylor shprehet edhe për një zbutje të rregullave të eksportit të armëve dhe e quan më efektive, kur përcaktimet e eksportit të armatimit të formulohen dhe të zbatohen në kuadër të BE.

“Në letër, në 12 muajt që prej referendumit të Brexitit BE ka avancuar më shumë se sa në 25 vitet e shkuara”. Fundi i bllokadës britanike për shkak të Brexitit do t’i përshpejtojë proceset vendimore në të ardhmen. Por Taylor e këshillon Berlinin dhe Parisin që ta kërkojnë edhe më tej bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, e cila nga të gjitha vendet e Evropës shpenzon më shumë për mbrojtjen.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here